GJUKANOVIQ: BE DHE NATO DUHET TË JENË MË AKTIVE NË RAJON

Bashkimi Evropian (BE) dhe NATO duhet të jenë më aktivë në Ballkanin Perëndimor, tha presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe vlerësoi se rajoni është në një gjendje më të keqe se sa ishte disa vite më parë. Gjukanoviq, pas takimit me presidentin polak Andrzej Duda, tha se Mali i Zi dhe Polonia janë partnerë jo vetëm në nivel dypalësh, por se bashkëpunojnë shkëlqyeshëm në formatin e bashkëpunimit rajonal. Gjukanoviq tha se gjatë pesë viteve të anëtarësimit, Mali i Zi konfirmoi justifikimin për pranimin në NATO dhe demonstroi aftësinë e tij për të qenë jo vetëm përfitues, por edhe kontribuues për stabilitetin rajonal dhe global. Ai tha se tema kryesore e takimit ishte agresioni rus kundër Ukrainës me implikime për stabilitetin dhe sigurinë e Evropës në tërësi. Takimi ishte një mundësi për të shkëmbyer informacion mbi gjendjen aktuale të atij problemi, reflektime të mundshme jo vetëm në hapësirën globale dhe evropiane, por më konkretisht në hapësirën e një rajoni shumë të cenueshëm evropian siç është Ballkani Perëndimor.

Presidenti polak Duda tha se është dakord me Gjukanoviqin se Mali i Zi ka nevojë për ndihmë dhe mbështetje për të ruajtur paqen në Ballkan. Duda tha se Mali i Zi mund të llogarisë në Poloni. “Për ne është shumë e rëndësishme të ruajmë paqen në rajon dhe të gjithë e dimë se sa i rëndësishëm është Ballkani për ruajtjen e paqes në Evropë”, tha Duda.

SHARE