Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë këtë të enjte. Kreu i qeverisë Rama zbuloi se me Von Der Leyen ka diskutuar për krizën energjetike dhe për samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet më 6 Dhjetor në Tiranë. “Sigurisht që takimi i sotëm ka një vlerë të veçantë për shkak se presidentja na ka informuar për të gjithë situatën financiare në kushtet e një lufte që bombat dhe plagët i kanë në Ukrainë, por pasojat e së cilës ndjehen në gjithë Europën, përfshirë edhe ne në çmimet stratosferike të tregut të energjisë dhe në inflacionin që i ka prekur të gjithë pa përjashtim,“ tha Rama. Kryeministri shqiptar, Edi Rama e informoi presidenten për qasjen e tyre, për vendosmërinë që të vazhdojnë të mbështesin me të gjitha mënyrat familjet dhe bizneset e vogla për të mos e prekur energjinë elektrike. Gjë që do të thotë një peshë e konsiderueshme për buxhetin e shtetin, por sipas tyre një peshë sidoqoftë e arsyeshme. Nga ana tjetër, kemi folur pak, por do takohemi përsëri më vonë edhe për një ngjarje të jashtëzakonshme për Shqipërinë, e para në histori në 6 Dhjetor kur në Tiranë do të kemi Samitin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor dhe të gjithë liderët do të vijnë në Tiranë për këtë samit. Tirana u bë në mënyrën më mbresëlënëse për hir të së vërtetës, skena e një finaleje europiane në futboll në fund të gjysmës së parë të vitit, tashmë bëhet skena e një ngjarje politike europiane e dorës së parë në fundin e gjysmës së dytë të vitit. Janë dy ngjarje që deri pak vite më parë askush nuk mund t’i imagjinonte jo më ti jetojmë. E falenderova presidenten edhe për këtë sepse jam i bindur se edhe në zgjedhjet e mundshme edhe pse nuk ka për ta pranuar dhe nuk ma pranon as mua, por ka bërë avokatinë e Tiranës”, u shpreh kryeministri Rama. „Rusia po shkel rendin ndërkombëtar, të drejtën ndërkombëtare. Rusia po përpiqet ta përdorë energjinë si armë po manipulon tregjet dhe ne të gjithë i ndjemë efektet. Por fatmirësisht Shqipëria nuk ka fare varësi te gazi rus, natyrisht që energjia elektrike që vjen në Shqipëri ndikohet nga trazirat në treg dhe këto çmime kaq të larta, stratosferike. Ne kemi vendosur që e vetmja përgjigje që mund të japim është me anë të unitetit dhe solidaritetit. Ne jemi pjesë e një unioni për energjinë ndaj propozojmë një paketë mbështetëse për energjinë për Ballkanin Perëndimor, të njëjtën gjë po bëjmë edhe në Bashkimin Europian. Së pari mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore. Do të jenë 80 milionë Euro në grante. Pjesa e dytë ka të bëjë jo me mbështetjen e menjëhershme, por me mbështetjen që do të vijë pas janarit, në fakt në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë mbështetja për sistemin e energjisë. Po flasim për 500 milionë Euro në grante për të investuar në energjetike për të gjithë Ballkanin. Investimi do të jetë për shembull në impiantin lundrues diellor, në Vaun e Dejës, modernizimin e hidrocentralit të Fierzës dhe në fakt u habita shumë që kur dëgjova që prodhon ¼ e energjisë elektrike në vend. Gjithashtu plani po ndihmon me rinovimin e efiçencës energjetike të godinave të Qytetit Studenti të Universitetit të Tiranës. Këto janë vetëm disa shembuj, por tregojnë drejtimin në të cilin ne po ecim”.