Rekomandohen nga nutricionistët: 10 ushqimet më të mira për të forcuar imunitetin

Koha e vjeshtës dhe e dimrit njihet si koha e viruseve dhe ftohjeve, ndaj dëgjoni këshillat e nutricionistëve se si të forconi imunitetin dhe t’u rezistoni sëmundjeve.

Më poshtë po ju paraqesim listën me ushqimet që duhet t’i përfshini në dietën tuaj:

Boronica

Është zgjidhja më e mirë për rritjen e imunitetit. Boronicat janë të pasura me flavonoide, antioksidantë të fuqishëm që ndihmojnë në zbutjen e dëmtimit të qelizave dhe, në aleancë me mikrobet e zorrëve, parandalojnë gripin të dëmtojë indet.

Ato janë gjithashtu të pasura me vitamina C dhe A, fibra dhe magnez, të cilat janë të dobishme në parandalimin e ftohjes dhe përveç kësaj ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës, uljen e presionit të gjakut dhe përmirësimin e funksionit të trurit dhe kujtesës.

Kërpudha

Për të luftuar viruset, duhet patjetër të përfshini kërpudhat në menynë tuaj, sepse ato ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar. Janë të pasura me vitaminë D, e cila redukton gjasat për t’u prekur nga gripi dhe ftohja, por edhe me vitaminë B, përbërësit e të cilës riboflavina, niacina dhe acidi pantotenik, ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit të zemrës dhe parandalimin e kollës dhe ftohjes.

Ato janë gjithashtu të pasura me antioksidantë që gjithashtu mbrojnë nga sëmundjet e zemrës dhe forcojnë sistemin imunitar, por gjithashtu mund të mbrojnë kundër kancerit dhe dëmtimeve të shkaktuara nga plakja. Ato janë gjithashtu një burim i shkëlqyer i selenit, i cili ndihmon në uljen e stresit oksidativ që redukton inflamacionin dhe forcon imunitetin.

Xhenxhefil

Krenohet me disa veti anti-inflamatore që rrisin shanset tuaja për të luftuar viruset. Gingerol, një përbërës që gjendet në xhenxhefil, lufton inflamacionin në trup duke rritur nivelet e kalciumit në qeliza.

Xhenxhefili i freskët ndihmon në parandalimin e ngjitjes së viruseve në qelizat e sistemit të sipërm respirator dhe shkaktimin e infeksionit, dhe rrënja e tij mund të parandalojë prodhimin e mukusit dhe t’ju lehtësojë nga bllokimet e pakëndshme të rrugëve të frymëmarrjes. Përveç kësaj, zvogëlon rrezikun e kancerit, mbështet shëndetin e sistemit kardiovaskular dhe përmirëson tretjen.

Specat

Dihet se vitamina C është një aleat i shkëlqyer në forcimin e mbrojtjes së trupit tonë ndaj sëmundjeve dhe studimet tregojnë se me konsumimin e përditshëm të kësaj vitamine, ne mund të rrisim nivelin e antioksidantëve në gjak dhe në këtë mënyrë të mbrojmë qelizat nga molekulat e dëmshme. Por, shumë njerëz do të kërkojnë agrumet për vitaminën C, edhe pse speci është një burim shumë më i mirë.

Përveç vitaminës C, specat janë të pasur me vitaminë B6, e cila ndihmon në krijimin e qelizave të kuqe të gjakut, vitaminë K1, e cila përmirëson shëndetin e kockave dhe vitaminë E, e cila është thelbësore për shëndetin e nervave dhe muskujve. Specat janë gjithashtu një burim i pasur i beta-karotenit, i cili forcon sistemin imunitar dhe mbështet shëndetin e syve dhe lëkurës.

Hudhra

Kur hasni në viruse, si ato që shkaktojnë ftohje ose grip, alicina ndihmon në forcimin e reagimit luftarak të qelizave të bardha të gjakut. Përveçse ndihmon në parandalimin e sëmundjeve, hudhra është efektive në shkurtimin e kohëzgjatjes së ftohjes.

Gjithashtu ka një efekt anti-inflamator, kështu që mund të ndihmojë edhe në uljen e kolesterolit dhe presionit të gjakut.

Patatja e ëmbël

Patatet e ëmbla janë të pasura me vitamina dhe antioksidantë që forcojnë imunitetin. Vitamina A është një nga lëndët ushqyese më të rëndësishme për mbështetjen e imunitetit dhe një studim zbuloi se ndihmon në ruajtjen e qelizave T – një lloj qelize e bardhë e gjakut që është thelbësore në luftimin e sëmundjeve.

Përmban gjithashtu shumë vitaminë C, e cila zvogëlon shanset për t’u ftohur dhe rrit shanset për të luftuar virusin nëse sëmureni. Njëherësh, konsumimi i patateve të ëmbla ndihmon në forcimin e funksionit të trurit dhe përmirësimin e shëndetit të zorrëve.

Brokoli

Një grusht brokoli përmban sasinë e njëjtë të vitaminës C ss një filxhan portokalli, por për shkak të shijes, nuk është zgjedhja e parë për shumë njerëz. Megjithatë, brokoli është gjithashtu një burim i shkëlqyer i vitaminave A dhe E dhe në përgjithësi është një nga perimet më të shëndetshme. Beta-karoteni, kaliumi, magnezi, zinku, hekuri dhe një sërë vitaminash B, me të cilat është i pasur brokoli, e mbajnë sistemin imunitar në formën më të mirë të mundshme.

Shafrani i Indisë

Shafrani i Indisë ju ofron përfitime të shumta shëndetësore. Është një antioksidant i fuqishëm, përbërësi i të cilit kurkumina depërton në membranat qelizore dhe rrit aftësinë e tyre për t’u mbrojtur nga infeksionet. Hulumtimet tregojnë se mund të aktivizojë qelizat T, qelizat B, makrofagët, neutrofilet dhe qelizat dendritike, si dhe të përmirësojë përgjigjet e antitrupave të trupit.

Spinaqi

Gjethet e gjelbra të spinaqit janë plot me antioksidantë dhe lëndë ushqyese si vitamina E dhe C, si dhe beta-karoten, të cilat rrisin aftësinë e sistemit imunitar për të luftuar infeksionet. Një përforcues natyral i imunitetit është kaliumi, me të cilin kjo perime është e pasur, ndërsa në luftën kundër sëmundjeve dhe mikrobeve do të ndihmojnë vitaminat dhe mineralet ushqyese, si folati, hekuri, luteina, acidet omega-3 yndyrore dhe fitonutrientët tjerë.

Kivi

Duke konsumuar një kivi në ditë, brenda gjashtë javësh arrihen nivelet e kënaqshme të vitaminës C. Përveç saj, përmban vitaminë E dhe është një burim i shkëlqyer i mineraleve dhe komponimeve bimore që kanë një efekt anti-inflamator dhe antioksidant. /Telegrafi/

SHARE