PËRFAQËSUESIT E ORGANIZATËS TIKA NË MAL TË ZI TAKIM ME PRODHUESIT BUJQËSOR TË MALËSISË

Sekretarja e Sekretariatit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural e Komunës së Tuzit, Ismeta Gjoka me bashkëpunëtorë mbajti takim me përfaqësuesit e organizatës TIKA në Mal të Zi, Abdurrahman Toprak – koordinator, si dhe inxhinierin e bujqësisë, Ali Kurtin. Sekretarja i njoftoi me prodhimtari në sera në Komunën e Tuzit, sa është numri i prodhuesve bujqësorë të cilët kanë sera, sa është sipërfaqja e tyre si dhe cilat janë kulturat dominuese të cilat prodhohen në sera. Po ashtu, u njoftuan me problematikat kryesore me të cilat prodhuesit ballafaqohen gjatë prodhimtarisë në ambiente të mbyllura. Mbas takimit ekspertët patën rastin që të takohen me prodhuesit bujqësorë dhe t’i shohin nga afër dhe të njihen me problemet dhe sëmundjet kryesore të bimëve të cilat kultivohen në këto sera. Në fund të takimit, ata u dakorduan që të planifikohet trajnim për prodhuesit bujqësorë, të cilët posedojnë sera, ku ata do të mund të marrin informacionet e duhura mbi mbrojtjen e bimëve dhe mënyrën se si ta rrisin prodhimin.

SHARE