ZELENSKY: SULMET NË OBJEKTET E ENERGJISË SYNOJNË TË RRISIN MIGRIMIN

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë liderëve të Bashkimit Evropian se sulmet ruse, që kanë shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës së energjisë, kanë qëllim nxitjen e një vale të re të migrantëve ukrainas drejt vendeve të bllokut evropian. “Terrori rus kundër objekteve të energjisë ka qëllim krijimin e sa më shumë problemeve me rrymë dhe nxehtësi në Ukrainë këtë vjeshtë dhe dimër, ashtu që sa më shumë ukrainas të nisen drejt vendeve tuaja”, ka thënë Zelensky përmes video-lidhjes. Sipas tij, këto veprime duhet të kenë “përgjigje të menjëhershme”, fillimisht përmes sistemeve të shumta për mbrojtje ajrore. “Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundshme që t’ia pamundësojmë Rusisë shkatërrimin e sistemit tonë energjetik me raketa dhe dronë”. Rusia ka shtuar numrin e sulmeve në objekte banesore dhe infrastrukturë prej 10 tetorit, duke përdorur kryesisht dronë kamikazë.

SHARE