OBSH PARALAJMËRON DIMËR “BRUTAL” NË UKRAINË

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar për afrimin e një “dimri brutal” në Ukrainë, pasi sulmet e vazhdueshme ruse me raketa kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën civile dhe shëndetësore. Hans Kluge, drejtor për Evropën në OBSH, ka thënë përmes një deklarate më 14 tetor, se do të vazhdojë ndihma për Kievin, pasi organizata do të jetë aktive në Ukrainë “për kohë të gjatë”. Kluge ka paralajmëruar se dimri do ta bëjë mbijetesën edhe më të vështirë për ukrainasit që janë në zonën e luftës, dhe ka bërë thirrje për riparim të menjëhershëm të qendrave të shkatërruara shëndetësore, si pasojë e sulmeve ruse. “Prioriteti kryesor është që të veprohet ndaj dëmit që është shkaktuar në qendrat mjekësore si pasojë e sulmeve të fundit. OBSH ka konfirmuar të paktën 620 sulme në qendrat shëndetësore prej nisjes së luftës në muajin shkurt. Ne duhet të rrisim mbështetjen për procesin e rindërtimit”, ka thënë Kluge. “Shumë njerëz në Ukrainë janë duke jetuar në situatë të pasigurt, duke u bartur nga një lokacion te tjetri, dhe duke jetuar në objekte pa qasje në sistemet e ngrohjes”, ka paralajmëruar ai. “Shkatërrimi i shtëpive dhe mungesa e rrymës apo energjisë, për shkak të infrastrukturës së dëmtuar, mund të bëhet çështje jetë a vdekje, nëse njerëzit nuk do të mund të ngrohin shtëpitë e tyre”.

SHARE