ZAPORIZHIA ‘PRONË FEDERALE’ E RUSISË / PUTIN MERR NËN KONTROLL CENTRALIN BËRTHAMOR

Presidenti Vladimir Putin urdhëroi marrjen nën kontroll të plotë të centralit bërthamor të Zaporizhjës. Kjo është një nga lëvizjet e tij të para për të vendosur sundim mbi zonat e Ukrainës që Rusia i ka shpallur si të sajat. Urdhëri erdhi pas nënshkrimit të dekreteve për aneksimin e katër rajoneve ukrainase, të cilat kontrollohen pjesërisht nga Moska. Pas nënshkrimit të dekretit që përcakton centralin bërthamor si “pronë federale” ruse, Putin tha se pret të “stabilizohet” situata në këto rajone. Rusia ka shpallur aneksimin e rajoneve ukrainase të Luhanskut, Donjeckut, Hersonit dhe Zaporizhjës, pasi në këto rajone u mbajtën referendume të rreme. Zaporizhja është qytet në juglindje të Ukrainës, ku ndodhet centrali më i madh bërthamor në Evropë. Kontrolli i këtij centrali është marrë nga forcat ruse pak kohë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Rosenergoatom, operatori rus i energjisë bërthamore, tha se do të vlerësojë dëmet në infrastrukturën e uzinës dhe do t’i transferojë punonjësit ukrainas në një organizatë të re në pronësi ruse. Ndërsa operatori shtetëror bërthamor ukrainas, Enerhoatom, tha se dekreti i Putinit dhe dokumentet e tjera ruse në lidhje me centralin bërthamor ishin “të pavlera dhe absurde”. Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, u nis për në Kiev të mërkurën dhe pritet që të vizitojë edhe Moskën gjatë kësaj jave.

SHARE