PUNËTORËT E ARSIMIT PRESIN PËRGJIGJE PËR RRITJEN E PAGAVE JAVËN E ARDHSHME

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Radomir Bozhoviq, tha se javën e ardhshme edukatorët presin përgjigjen përfundimtare nga ministritë e arsimit dhe financave për rritjen e kërkuar të pagave prej 45 për qind. Bozhoviq tha se ende po vazhdojnë negociatat për rritjen që mësimdhënësit kërkojnë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. “Nuk e kemi marrë ende ofertën përfundimtare, e presim javën e ardhshme. Më pas presim takim me ministrat e Financave dhe të Arsimit”, tha Bozhoviq. Ai theksoi se kur ta marrin ofertën, Sindikata do të deklarohet në Bordin Ekzekutiv dhe atë Kryesor. Të rikujtojmë se sot është Dita Botërore e Mësimdhënësve, e cila festohet në mbarë botën, në përkujtim të së njëjtës datë në vitin 1966, kur UNESCO dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës nënshkruan Rekomandimin për Statusin e Mësimdhënësit, me qëllim që të theksohet roli i mësuesve në arsim si dhe zhvillimin e fëmijëve dhe thekson parimet dhe rekomandimet për pozitën e tyre në shoqëri. UNESCO me temën e sivjetme “Transformimi i arsimit fillon me mësimdhënësit” synon të ftojë qeveritë e vendeve të investojnë te mësuesit, t’i përfshijnë ata, t’i besojnë dhe t’i respektojnë.

SHARE