QEVERIA TËRHIQET NGA SHTRENJTIMI, RAMA: QYTETARËT FILLUAN KURSIMIN

Qeveria i vendosi një semafor të kuq për momentin propozimit, të saj për të aplikuar çmim të rritur prej 1 Tetorit, për të gjithë ato familje që do të harxhonin mbi 800 kë energji elektrike. Kryeministri Rama dha këtë shpjegim se përse për momentin qeveria nuk do ta aplikojë fashën e re të pagesës që supozohej të zbatohej prej 1 Tetorit. “Në 1 shtator kur lançuam fashën mbi 800 KWh, kjo kërkesë ishte ndjeshëm më e lartë se sa ç‘është sot pra, dhe pa diskutim në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperaturave të nxehta, por s’ka dyshim se rol të rëndësishëm ka edhe fillimi i dukshëm i një qasje pozitive të abonentëve familjarë për ta kursyer energjinë. Nga ana tjetër ditët e fundit, kemi pasur përmirësim të nivelit në Fierzë, aty ku është dhe burimi kryesor i energjisë, dhe presim që të materializohen dhe parashikimet për reshje të tjera në fund të dhjetë ditëshit të parë të tetorit“, tha Rama. Pavarësisht këtij vendimi kryeministri kërkoi  të mos  zbehet kursimi energjisë. “E ndërkohë që të gjithë duhet të jenë sa më të vëmendshëm që ta kursejnë sa më shumë energjinë, askush nuk duhet ta verë në dyshim se unë dhe kjo qeveri do të bëjmë më të mirën.  Inflacionin e ka sjellë lufta, nuk e ka sjellë qeveria, por qeveria do të jetë në krye të detyrës, që njësoj siç ia dolëm më së miri me tërmetin dhe me pandeminë, t’ia dalim edhe me këtë fatkeqësi të re që ka rënë mbi botën, e veçanërisht mbi Europën ku jetojmë”.

SHARE