ABAZOVIQ: EDHE BALLKANI PERËNDIMOR TË JETË PJESË E NDIHMËS SË BE-së

Tre tema ishin në fokus të takimit mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borell: sanksionet kundër Rusisë, sulmet kibernetike dhe kriza energjetike, tha kryeministri me mandat teknik Dritan Abazoviq në New York. Abazoviq, në një deklaratë të publikuar nga Qeveria, ka thënë se në takim të gjitha vendet kanë kërkuar që nëse BE-ja fillon të ndihmojë anëtarët e saj, për shkak të krizës energjetike, në atë ndihmë të përfshihen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. “Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë në një pozicion pak më të favorshëm se vendet e tjera, por ne shprehëm solidaritet”, tha Abazoviq. Ai theksoi se Mali i Zi është i gatshëm të marrë pjesë në të gjitha projektet e gjelbra dhe të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit. Abazoviq u takua edhe me Çab Keresh, presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. “Mali i Zi kontribuon në nxjerrjen në pah të vlerave të OKB-së në lidhje me ngrohjen globale dhe efikasitetin e energjisë. Ne jemi i vetmi vend në botë që me Kushtetutë përkufizohet si ekologjik. Ne po përpiqemi të ecim përpara, dhe ka partnerë të OKB-së dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare për të ndihmuar vendet e vogla që promovojnë këto vlera që të jenë sa më të mira”, tha Abazoviq. Duke diskutuar krizën energjetike, luftën në Ukrainë dhe ndryshimet klimatike, Abazoviq dhe Kereshi ranë dakord se nuk ka përparim ekonomik për botën pa ekologji, efikasitet ekologjik dhe zhvillim të qëndrueshëm.

SHARE