Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë se vendimi i tij për të mos pranuar kandidaturën e Miodrag Lekiqit për mandatar është në përputhje me Kushtetutën. Ai po ashtu tha se nuk është pengesë që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese të mbahen zgjedhjet lokale më 23 tetor dhe tha se si edhe deri tani, do të ndjekë Kushtetutën e Malit të Zi dhe se tani gjithçka është në dorë të Kuvendit. „Pasi mazhoranca humbi mundësinë në Kuvend për të propozuar një kandidat në mënyrë kushtetuese, sot është në një situatë që të zgjedhë ose të shkurtojë mandatin dhe të krijojë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve ose të vazhdojë, si në muajin e kaluar, të angazhohet në lojëra të vogla politike të partive të caktuara parlamentare. Kjo do të krijonte një situatë unike politike në të gjithë botën – nëse kemi një parlament gjoja legjitim dhe në të njëjtën kohë një qeveri të paligjshme, dhe kjo do të vazhdojë pafundësisht”, tha Gjukanoviq. Ai po ashtu tha se më 30 shtator kur propozoi seancën do të shihet nëse ka një mazhorancë që kujdeset me përgjegjësi për interesat kombëtare.