Një ekip i NATO-s ka mbërritur në Shqipëri për të asistuar Qeverinë e Shqipërisë në nivel politik dhe teknik pas sulmeve kibernetike. Vizita vjen pas komunikimit të Kryeministrit Edi Rama me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Jens Stoltenberg. “Ky ekip vjen në vendin tonë për të dhënë asistencë në lidhje me çështjet kibernetike, njohje me situatën aktuale, si dhe nevojat dhe mundësitë për adresimin e këtyre çështjeve në vazhdim. Pas sulmeve kibernetike ndaj sistemeve dhe infrastrukturës së teknologjive të informacionit të shtetit shqiptar tashmë të identifikuara për nga origjina, i menjëhershëm ka qenë reagimi dhe përgjigja e strukturave të specializuara të vendit në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate”, është shprehur Peleshi. Ministri Pleshti ka deklaruar se sistemet e sigurisë dhe mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes kanë qenë të paprekura nga sulmi. “Vizita e ekipit të sotëm është një dëshmi solidariteti e mbështetjes, e reagimit të menjëhershëm të Aleancës”, ka deklaruar ministri Peleshi. Appathurai u shpreh se në këtë rrugëtim Shqipëria nuk është e vetme, sepse sipas tij NATO e mbështet. “Të gjitha vendet e NATO-s e njohin sulmin që i është bërë Shqipërisë dhe sigurisht e mbështesin atë në këtë drejtim. Ky është dhe mesazhi që Sekretari i Përgjithshëm i dha kryeministrit Rama në takimin e kaluar. Sigurisht doja të theksoja dhe përpjekjet e shumta që ka bërë shteti shqiptar. Sigurisht ndihma ka ardhur nga NATO, ka ardhur në nivel teknik nga vende të ndryshme të NATO-s, por edhe në nivelin individual nga struktura të ndryshme”, ka deklaruar Appathurai.