BORRELL TAKOHET ME LIDERËT E BALLKANIT

Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell, tha se ka biseduar me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor për ndikimin që po ka në rajon dhe botë pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës. “BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do të qëndrojnë së bashku në përballje me sfidat që sjellë lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës në nivel botëror. BE-ja përfshin Ballkanin Perëndimor në nismat e saj për të zbutur ndikimet e luftës”, u tha në njoftimin e lëshuar nga blloku evropian. Borrell u takua dje në Nju Jork me liderët e Ballkanit Perëndimor, teksa në qytetin amerikan po mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. “Përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan se si do të mund të adresojnë së bashku pasojat dëmtuese të kësaj lufte mbi çmimet e ushqimit dhe energjisë dhe të stabilitetit dhe sigurisë në Evropë dhe botë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga blloku evropian. Borrell u ka premtuar shteteve të Ballkanit Perëndimor se blloku evropian do t’i ndihmojë për të rritur sigurinë energjetike dhe për të adresuar “kërcënimet hibride, përfshirë ato kibernetike”. Blloku ka akuzuar Rusinë se po përdor energjinë si “armë”, teksa çmimet botërore të ushqimit po ashtu janë rritur për shkak të luftës në Ukrainë.

SHARE