ABAZOVIQ: BIDEN MUND TË SHPËTOJË BALLKANIN PERËNDIMOR NGA NDIKIMI RUS DHE KINEZ

Kryeministri i Qeverisë së Malit të Zi në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë partneri më i rëndësishëm i politikës së jashtme të Podgoricës, si dhe se presidenti amerikan Joe Biden mund ta shpëtojë Ballkanin Perëndimor nga rënia nën ndikimin rus dhe kinez. “Mesazhi im për Biden është i thjeshtë. Presidenti Biden duhet të përdorë urdhra ekzekutivë për të sanksionuar njerëzit që janë të përfshirë në korrupsionin e nivelit të lartë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është mënyra më e mirë dhe më e thjeshtë për presidentin Biden për të shpëtuar Ballkanin Perëndimor,” tha Abazoviq. Siç shtoi ai, nëse rajoni shkon në drejtim të nacionalizmit dhe konfliktit, ai do të bëhet një objektiv i lehtë për ndikimin e huaj. “Pavarësisht nëse bëhet fjal për ndikimin rus apo kinez, nëse Biden mendon se ndikimi i huaj duhet të parandalohet, ai duhet të sanksionojë njerëzit. Kjo do të mjaftonte për të ndaluar aktorët politikë që udhëheqin Malin e Zi dhe rajonin në atë rrugë,” tha ai. I pyetur nëse sulmet e fundit kibernetike në infrastrukturën e IT-së të qeverisë kanë ndodhur rastësisht në të njëjtën kohë me ngjarjet aktuale politike në Mal të Zi, apo nëse dikush është përpjekur të testojë vendin, ai tha se nuk beson se diçka ndodh rastësisht kur bëhet fjalë për ngjarje të rënda politike. “Destabilizimi është në favor të atyre që nuk duan të shohin shtetin e së drejtës, atyre që ende duan të shohin destabilitet në Ballkanin Perëndimor. Sulmi kibernetik ndodhi mëngjesin e votimit të mosbesimit ndaj Qeverisë. Është sulmi më i madh në infrastrukturën tonë që kemi pasur ndonjëherë. Nuk mund të themi në këtë moment se Rusia qëndron pas këtij sulmi dhe as nuk duam ta pretendojmë, por ekspertë të BFH, Britanisë së Madhe dhe Francës po hetojnë rastin. Jemi në pritje të raportit përfundimtar”, tha ai.

SHARE