LAJÇAK NË PRISHTINË “PËR TË ÇUAR PËRPARA DIALOGUN”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti të enjten në Prishtinë të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në një deklaratë para gazetarëve, afër Qeverisë së Kosovës, Lajçak tha se u takua me Kurtin për të vazhduar diskutimet për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. “Jam në Prishtinë për të vazhduar diskutimet me kryeministrin Kurti për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu kisha një takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për çështjen e lëvizjes së lirë, për çështjen e të zhdukurve dhe çështjen e energjisë”, ka deklaruar Lajçak. “Ne duam të sigurohemi që po kërkojmë zgjidhje për këto çështje që të evitojmë tensione apo eskalime, prandaj ne ramë dakord që të vija. Patëm diskutime të dobishme të cilat do të vazhdojnë”- shtoi ai. Lajçak tha se nuk është e dobishme që të flas për detaje rreth takimit dhe ritheksoi edhe një herë çështjen e normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë. “Nuk mendojmë që është e dobishme që të flasim për detajet, çfarë thash është shumë e rëndësishme pra normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mendoj që e ndihmon procesin nëse ne ju hyjmë detajeve”, u shpreh Lajçak.

SHARE