DUKAJ: BASHKËPUNIM NË FUSHËN E DIGJITALIZIMIT DHE SIGURISË KIBERNETIKE

Gjatë vizitës zyrtare në Izrael, ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, është pritur mbrëmë në dy takime të veçanta, nga Michael Biton, presidenti i Komisionit për Çështjet Ekonomike të Asamblesë Shtetërore të Izraelit (Knesset) dhe nga anëtarja e Partisë Laburiste, Emilie Moatti. Siç bëjnë të ditur nga MAP, në takime u theksuan marrëdhëniet miqësore mes Malit të Zi dhe Shtetit të Izraelit dhe interesi i ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit. „Krahas bashkëpunimit në fushën e digjitalizimit dhe veçanërisht të sigurisë kibernetike, ramë dakord që lidhjet të forcohen edhe në fusha të tjera të rëndësishme. Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen dhe donacionet e shtetit të Izraelit për Malin e Zi në luftën kundër epidemisë së korona virusit,“ tha Dukaj. Gjithashtu në këto takime u theksua roli i rëndësishëm i grupeve parlamentare të miqësisë.

Ndërsa sot, ministri Dukaj u prit z. Meir Cohen, Ministër i Mirëqenies Sociale i Shtetit të Izraelit dhe Miki Levi, Kryetar i Knesset – Kuvendit të Shtetit të Izraelit. Gjatë këtyre takimeve u theksuan marrëdhëniet miqësore dhe rëndësia e forcimit të lidhjeve të ndërsjella mes dy vendeve. Dukaj theksoi se në periudhën e ardhshme do të bëhen përpjekje për përmirësimin e marrëdhënieve me shtetin e Izraelit përmes projekteve të përbashkëta në fushën e digjitalizimit me qëllim optimizimin e ofrimit të shërbimeve sociale.

Ministri Dukaj e njoftoi presidentin Levi për zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike në Mal të Zi dhe pozicionin e Malit të Zi në planin ndërkombëtar, me theks të veçantë në aktivitetet që kanë të bëjnë me integrimet evropiane dhe euroatlantike. Presidenti Levi, i cili është një nga figurat politike më me ndikim në Izrael, pasi e njohu ministrin me aktivitetet e Kuvendit dhe situatën e përgjithshme politike në vend, në pritje të zgjedhjeve të ardhshme në Izrael, shprehu kënaqësinë e tij për takimin dhe shpresa që marrëdhëniet dypalëshe mes Malit të Zi dhe Izraelit të jenë edhe më të forta në të ardhmen. Gjithashtu, presidenti Levi shprehu qëndrimin se perspektiva evropiane dhe euroatlantike e Malit të Zi është rruga e duhur për të forcuar pozitën e Malit të Zi në bashkësinë ndërkombëtare. Bashkëbiseduesit ranë dakord që hapja e afërt e ambasadës malazeze në Izrael dhe e ambasadës izraelite në Mal të Zi do të ishte një nxitje shtesë për përmirësimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ministri Dukaj e njoftoi Kryetarin e Kuvendit për sulmet e fundit kibernetike në infrastrukturën digjitale dhe shprehu shpresën se përvojat e shtetit të Izraelit në këtë fushë do të jenë jashtëzakonisht të dobishme në parandalimin e sulmeve të ngjashme në të ardhmen.

SHARE