PRESIDENTJA HUNGAREZE NOVAK: KOSOVA DUHET TË PËRKRAHET PËR ANËTARËSIM NË BE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim presidenten e Hungarisë, Katalin Novak, në takimin e parë zyrtar të saj në Kosovë që nga marrja e detyrës. Pas pritjes me ceremoni shtetërore të institucioneve kosovare, Osmani dhe Novak kanë zhvilluar takim sy më sy në Presidencë, ndërsa pas takimit i janë adresuar mediave me konferencë. Presidentja Osmani në fjalën e saj tha se Hungaria e ka ndihmuar Kosovën në shumë procese, derisa e falënderoi këtë shtet për bursat e ofruara për studentët kosovarë. Osmani tha se Kosova ka vizion për të ardhmen dhe po punon për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. “Ju e dini zonja presidente që kanë kaluar më shumë se katër vite, që kur Kosova plotësoi të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Dua t’ju falënderoj që Hungaria gjithnjë e ka përkrahur këtë proces për qytetarët e Republikës së Kosovës, por po ashtu t’ju lus që të vazhdoni të jeni kampionë në këtë përkrahje në mënyrë që Kosova vërtetë ta ketë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e saj gjatë këtij viti, gjatë Presidencës Çeke”, theksoi Osmani. Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, tha se për paqen dhe sigurinë në botë, duhet të punohet edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Novak tha se Kosova duhet të përkrahet për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), derisa nënvizoi se Hungaria e përkrah rrugën euroatlantike të Kosovës, me theks të veçantë heqjen e regjimit të vizave. “Shpresojmë që anëtarësimi në Bashkimin Evropian i Kosovës të jetë sa më shpejt të jetë e mundur. Hungaria është e përkushtuar për këtë dhe mbështet integrimin euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën”, tha Novak. Novak deklaroi se është mundësi shumë e rëndësime që ushtarët hungarezë të shërbejnë në Kosovë në kuadër të Misionit të NATO-s (KFOR). Presidentja hungareze theksoi se procesi i dialogut Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë dhe palët “duhet të gjejnë terren të përbashkët”. Katalin Novak në mars të këtij viti u zgjodh Presidente e Hungarisë me mandat pesëvjeçar.

SHARE