SAMITI BËRDO-BRIONI: THIRRJE BE-SË QË KOSOVËS T’I HIQEN VIZAT

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Bosnje e Hercegovinës statusin e shtetit kandidat deri në fund të vitit 2022. Pahor i bëri komentet në fund të samitit të Procesit Bërdo-Brioni, që u mbajt të hënën në Bërdo të Sllovenisë. Kjo thirrje, tha ai, është edhe pjesë e konkluzioneve që u miratuan pas samitit. Pahor tha se me udhëheqësit e vendeve të rajonit është rënë dakord që bisedimet të jenë mënyra e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura. “Samiti u mbyll me sukses për dy arsye: diskutimet kanë qenë mjaft të mira dhe kemi këmbëngulur që të jemi më të bashkuar. Ka disa gjëra që na ndajnë, por duhet të kuptojmë se ku janë këto dallime”, deklaroi Pahor, duke mos dhënë shumë detaje, por duke thënë se besimi midis vendeve nuk është në nivelin më të lartë të mundshëm. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se thirrja për liberalizimin e vizave për Kosovën, është miratuar njëzëri në Procesin e Bërdo-Brionit. Ajo tha se gjatë këtij viti, pret që BE-ja të marrë vendim për këtë çështje, teksa shtoi se ka përkrahje në mesin e bllokut. Ndërkaq, në konkluzionet e miratuara theksohet edhe rëndësia e zgjerimit të BE-së me vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor. Ky proces konsiderohet si “kontributi më i drejtpërdrejtë në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon”.  “I bëjmë thirrje BE-së që të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor, me qëllim zbutjen e pasojave të krizës ekonomike dhe energjetike. Ne konfirmojmë angazhimin tonë për dialog – si mënyra e vetme për kapërcimin e dallimeve”, thuhet, po ashtu, në konkluzione. Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Bashkimi Evropian nuk është popullor në mesin e qytetarëve të Serbisë, por tha se shpreson se kjo do të ndryshojë në të ardhmen. Ai po ashtu tha se shpreson se kjo do të ndryshojë “në muajt apo vitet e ardhshme”. Në anën tjetër, presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, tha se në takimin e Procesit të Bërdo Brionit nuk është biseduar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka synim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve.

SHARE