NË SHQIPËRI NIS VITI I RI SHKOLLOR 2022-2023

Në Shqipëri ka filluar viti i ri shkollor 2022-2023 në institucionet e arsimit parauniversitar, për rreth 450 mijë nxënës në të gjithë vendin. Procesi mësimor ka filluar në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e vendit, në sistemin e arsimit publik dhe privat, ndërkohë, 29 mijë nxënës ulen për herë parë në bankat e shkollës. Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor janë organizuar ceremoni dhe aktivitete të ndryshme në të gjithë vendin, ndërsa zyrtarët e lartë të vendit kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit dhe kanë vizituar disa nga shkollat në vend. Në mesazhin e tij të publikuar në rrjetet sociale, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, shkruan se u uron nxënësve dhe arsimtarëve në të gjithë Shqipërinë një vit të mbarë shkollor. “T’i shndërrojmë bankat e shkollës në instrumentin që do t’i formësojë fëmijët e sotëm në qytetarë të përgjegjshëm të së nesërmes evropiane. Suksese në rrugëtimin e përbashkët drejt dijes”, shkruan Begaj. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vizitoi shkollën 9-vjeçare “Jeronim De Rada” në Tiranë, së bashku me ministra të kabinetit qeveritar, ku ai u takua me stafin e mësuesve dhe nxënësit e shkollës. Gjatë vizitës në këtë shkollë, kryeministri Rama tha se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe aftësimit të të rinjve me programet e kodimit, sipas tij, për t’i përgatitur ata për një treg të ri pune. Në ditën e parë të vitit të ri shkollor në Tiranë u mbajt edhe “Kongresi Kombëtar i Arsimit”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Qeverisë së Shqipërisë, të institucioneve të arsimit, përfshirë arsimin parauniversitar, arsimin e lartë, kërkimin shkencor, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe donatorëve në fushën e arsimit.

SHARE