PICULLA: NUK KA ASNJË ARGUMENT SE MARRËVESHJA E MAZHORANCËS SË VJETËR DO TË ZGJIDHTE KRIZËN

Nuk ka argumente për konstatimin se marrëveshja politike e mazhorancës së vjetër është një hap efektiv në drejtim të zgjidhjes së krizës politike, vlerëson për Radion e Malit të Zi raporteri i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Tonino Piculla. Siç tha ai, nuk është i sigurt se ky lloj aranzhimi do të sillte me vete efikasitet në vendimmarrje dhe se paqëndrueshmëria shtesë vetëm do ta vështirësonte rrugën e vendit drejt BE-së. “I njëjti formacion kishte tashmë një mundësi, të cilën nuk mundi ta shfrytëzonte. Për më tepër, të paktën sipas njoftimeve, prioritet i mazhorancës së re-vjetër është vazhdimi i konfliktit ndërpartiak dhe jo kërkimi i një konsensusi më të gjerë për zgjidhjen e problemeve të akumuluara”, tha Piculla, duke theksuar se është e dukshme se në marrëveshjen politike të nënshkruar javën e kaluar, çështja e integrimit evropian është në fund të listës prioritare. I pyetur nëse ndan qëndrimin e disa zyrtarëve perëndimorë se një qeveri që përfshin Frontin Demokratik nuk mund të jetë partnere e BE-së dhe SHBA-së, Piculla tha se “kur merret parasysh qëndrimi i FD ndaj integrimit euroatlantik dhe agresionit Rus ndaj Ukrainës, është mjaft e vështirë të karakterizohet ai opsion si konstruktiv, e lëre më partneritet”. Raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi thekson se nuk është një mesazh i mirë që nuk ka ende emërime në drejtësi, gjë që do të ishte një hap kyç përpara për përparimin në rrugën evropiane.

SHARE