ERDOĞAN NË ZAGREB: TÜRKIYE NDJEK NGA AFËR TË GJITHA ZHVILLIMET NË BALLKAN DHE VAZHDON TË KONTRIBUOJË

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, theksoi se vendi i tij si pjesë e rajonit ndjek nga afër zhvillimet në Ballkan, duke theksuar se në këtë kontekst vazhdon kontributet e nevojshme.  Duke folur rreth zhvillimeve në rajon, presidenti turk tha: “Si një vend i rajonit, Türkiye ndjek nga afër të gjitha zhvillimet në Ballkan dhe në këtë kontekst vazhdon kontributet e nevojshme. Në bisedimet tona u konsultuam rreth hapave që mund t’i hedhim së bashku për mbrojtjen dhe përforcimin e paqes dhe stabilitetit në Evropën Juglindore. Theksuam edhe një herë mbështetjen tonë në paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës, si dhe integritetit të saj evropian. Me këtë qëllim, qëndruam mbi kontributet që mund të bëjmë së bashku si Türkiye dhe Kroaci. Ne diskutuam në mënyrë të veçantë vazhdimin e dialogut tonë rreth Bosnje e Hercegovinës në një kuptim më të gjerë pas zgjedhjeve”. Mes tjerash presidenti Erdoğan duke rikujtuar se vendi i tij dhe Kroacia këtë vit festojnë 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, theksoi se edhe pse vendet e tyre nuk ndajnë kufij të përbashkët, ato shohin njëri-tjetrin si fqinj dhe aleatë. Erdoğan deklaroi se në takim gjithashtu kanë biseduar edhe për zhvillimet rajonale, marrëdhëniet bilaterale dhe luftën Rusi-Ukrainë. Ai tha se interesi i kompanive turke në Kroaci është në nivel të kënaqshëm, duke treguar se ata operojnë në sektorë të ndryshëm përfshirë energji, turizëm dhe sektorin bankar. Erdoğan sot bashkë me homologun e tij ka bërë hapjen e Qendrës Kulturore Islamike në qytetin Sisak të ndërtuar me mbështetje të TIKA-s, gjë e cila sipas tij është një mesazh i rëndësishëm për gjithë Evropën dhe botën.

SHARE