ABAZOVIQ: NUK DO TË TËRHIQEMI AS NJË MILIMETËR, KONTRABANDA E CIGAREVE KLINIKISHT KA VDEKUR

Kryeministri i Malit të Zi në mandat teknik Dritan Abazoviq tha se cigaret e konfiskuara në tregun e zi kapin vlerën e mbi tre milionë eurove. Ai tha se kontrabanda e cigareve në Mal të Zi është klinikisht e vdekur dhe se kjo është një përpjekje për të dëmtuar Qeverinë. Ai tha se në këtë luftë nuk do të tërhiqet as një milimetër. Kryeministri Abazoviq ka mbërritur në Zonën e Lirë të Portit të Tivarit pasi është bërë një tjetër sekuestrim i cigareve kontrabandë me vlerë milionëshe. “Kjo është vazhdimësi e mospranimit total dhe shkaktimi i problemeve të mëdha financiare për ata që merren me kontrabandën e cigareve. Kontrabanda e cigareve është klinikisht e vdekur, kjo është një përpjekje për të dëmtuar Qeverinë e Malit të Zi. Kjo është një garë mes të mirës dhe të keqes, Malit të Zi të ndershëm dhe të pandershëm. Kjo është dëshmi se nuk do të tërhiqemi as një milimetër”, tha ai. Fjala është për 5000 pako dhe janë plotësuar të gjitha kushtet që ato të asgjësohen publikisht, tha drejtori i Drejtorisë së të hyrave dhe doganave, Rade Millosheviq. “Ne do të ftojmë njerëz nga bashkësia ndërkombëtare që të marrin pjesë në asgjësimin e cigareve. Një luftë hibride po bëhet kundër qeverisë dhe tani po përpiqen të na portretizojnë si pjesë e një grupi kriminal”, tha ai.

SHARE