DALIN PAGAT PËR GUSHTIN, GREVISTËT KËRCËNOHEN ME PEZULLIM TË KONTRATAVE

Ministria e Financave dhe Transfereve e Kosovës tha se ka ekzekutuar pagat për muajin gusht për punëtorët që janë në grevë, duke shtuar se të njëjtëve duhet t’iu pezullohen kontratat e punës. Punonjësit e arsimit, administratës lokale dhe qendrore janë në grevë që nga 25 gushti me kërkesë për rritje pagash. “Për organizatat buxhetore që nuk kanë bërë përditësimin e listave dhe ku ka indikacione që ka pasur greva, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të bëjë konstatim të shkeljes së dispozitave ligjore të menaxhimit të financave publike, lidhur me shpenzimin e parasë publike dhe Ligjit për greva”, thuhet në njoftim. Kjo ministri kishte njoftuar në fund të gushtit se pagat ishin ekzekutuar pjesërisht, vetëm për ato institucione që kishin dërguar listën e punëtorëve që nuk ishin në grevë. “Përkundër afatit shtesë, disa organizata buxhetore as deri në ditën e sotme nuk kanë bërë përditësimin e listave për të reflektuar kompensimin e saktë për orët dhe ditët e punuara, gjë që ka ndikuar në vonesë të ekzekutimit të pagave edhe për ata që kanë punuar”, u tha në njoftim. Duke u thirrur në Ligjin për greva, Ministria e Financave tha se punëdhënësi i grevistëve duhet t’ua pezullojë kontratën e punës. “Ky pezullim duhet të bëhet nga punëdhënësi, gjegjësisht përfaqësuesi i punëdhënësit apo Zyrtari Kryesor Administrativ i secilës organizatë buxhetore. Andaj, i takon secilës nga organizatat buxhetore që të përditësojnë listat e pagave dhe t’i dërgojnë në Thesar ashtu që të reflektohet saktë kompensimi për punën e secilit”, u tha në njoftim. Grevistët kanë thënë se Qeveria nuk mund të ndalë rrogat e tyre për aq kohë sa ata janë në grevë, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar javën e kaluar se nuk mund të paguhen personat që nuk punojnë.

SHARE