Kryeministri në mandatin teknik Dritan Abazoviq tha se Ballkani i Hapur është një nismë funksionale që dërgon mesazh se rajoni mund të negociojë. Ai theksoi se do të dëshironte dhe pret që Mali i Zi të bëhet pjesë e kësaj nisme. Ai theksoi se Ballkani Perëndimor ka nevojë për një politikë të re, progresive. “Kemi provuar debate, konflikte, e vetmja gjë që nuk provuam ishte bashkëpunimi. Është koha për të zgjedhur paqen dhe përparimin. Është koha të kuptojmë se fleksibilitet më i madh i kufijve nuk do të thotë ndryshim i tyre”, tha Abazoviq. Ai tha se iniciativa Ballkani i Hapur në një kohë të shkurtër dëshmoi se përkundër të gjitha vështirësive mund të bëjë gjëra vendimtare për qytetarët. “Është shumë e rëndësishme të ruash kanalet e komunikimit. Qytetarët janë ngopur me politikat e së shkuarës, nacionalizmin, akuzat. Ne duhet të ofrojmë diçka tjetër, e kjo është një bashkëpunim më i madh. Duhet të përqendrohemi në progres”, tha Abazoviq. Ai theksoi se sheh se rajoni mund të bashkëpunojë dhe të rrisë besimin dhe se duhet të ofrohet një vizion. “Ne nuk jemi anëtarë të Open Balkan, por do të dëshiroja dhe pres që Mali i Zi së shpejti të bëhet pjesë e nismës,” tha ai.