NËNSHKRUHEN 4 MARRËVESHJE, SHQIPËRI – SERBI – MAQEDONI E VERIUT

Në samitin e radhës për Ballkanin e Hapur që zhvillua në Beograd me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve partnere të nismës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, si dhe me pjesëmarrjen me statusin e të ftuarit të Turqisë dhe Hungarisë, u nënshkruan disa marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi mes vendeve themeluese të Nismës, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

-Marrëveshja për sigurinë ushqimore midis Republikës së Serbisë, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. (Marrëveshja u nënshkrua nga ministrat e Bujqësisë së vendeve përkatëse)

-Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e kinematografisë dhe aktiviteteve audiovizive në Ballkanin Perëndimor. (Marrëveshja u nënshkruan nga ministrat e Kulturës së vendeve respektive) 

-Marrëveshje për bashkëpunimin në fushën e minierave dhe Energjisë. (Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrat e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë dhe Serbisë)

-Plani ndër operativ në fushën e emergjencave civile mes Republikës së Serbisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë. (Marrëveshja u nënshkrua ndërmjet zv/ministrit dhe kreut të Departamentit të Emergjencave, Serbi, zv/drejtorit të Emergjencave Civile të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile të Shqipërisë). 

Mikpritësi i samitit të “Ballkanit të Hapur” në Beograd, presidenti serb Aleksandër Vuçiç renditi në fjalën hapëse disa shifra që tregojnë shkëmbimin ekonomik mes vendeve anëtare të nismës. Më pas, ai u ndal në fushën e energjisë, e cila është një sfidë e madhe, sidomos për dimrin që vjen dhe tha se pritet ndihmë nga BE. Vuçiç i konsideroi të rëndësishme projektetet energjetike mes vendeve, për të cilat tha se do  të mendohet një strategji për të qenë më të përgatitur në të ardhmen. Kryeministri Edi Rama thotë se 3 shtetet që janë pjesë e Ballkanit të Hapur, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, do të ndihmojnë njëri-tjetrin gjatë muajve të këtij dimri për shkak të krizës energjetike. Pas firmosje së marrëveshjeve, Rama tha se përpara janë 7 muaj të vështirë dhe fatura për energjinë që Shqipëria parashikohet të ketë është rreth gjysmë miliardi Euro. E në këtë aspekt, Kryeministri shqiptar tha se së bashku me Presidentin serb Vuçiç dhe Kryeministrin maqedonas Kovaçevski, do t’i drejtohen me një letër Bashkimit Europian për t’i kërkuar mbështetje financiare për përballimin e krizës energjetike. Energjia elektrike është një nga temat më të prekura nga liderët e “Ballkanit të Hapur”, që u përmend edhe nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski. Shkëmbimi energjetik mes RMV e Serbisë do të ketë përmirësime. Kovacevski tha se është nisur edhe zbatimi i një projekti për energjinë  e ripërtëritshme, e cila do jetë në interes për të gjitha vendet e rajonit.

SHARE