GJUROVIQ: TUZI NJIHET SI NJË MJEDIS KU MBRETËRON HARMONIA MULTIETNIKE

Kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, me rastin e 1 shtatorit, Ditës së Komunës së Tuzit, i ka dërguar një mesazh urimi kryetarit të komunës Nik Gjeloshaj, kryetarit të Kuvendit të Komunës Fadil Kajoshaj, këshilltarëve dhe të gjithë qytetarëve të kësaj komune. “Në emër të Kuvendit të Malit të Zi dhe në emrin tim personal, ju uroj nga zemra 1 shtatorin, ditën e Komunës së Tuzit, datë që shënon kthimin e pavarësisë kësaj komune. Kjo komunë njihet si mjedis në të cilin mbizotëron harmonia multifetare dhe multietnike, duke i shërbyer me krenari gjithë shtetit. Banorët e Tuzit i mbrojnë pa rezerva këto vlera universale, të cilat përfaqësojnë themelin dhe pasurinë më të madhe të Malit të Zi, duke konfirmuar kështu kapacitetin dhe pjekurinë e tyre qytetare”, tha Gjuroviq. Ajo shprehu besimin se statusi i komunës së plotë në periudhën e ardhshme do të krijojë edhe më shumë mundësi për një jetë më të mirë dhe më komode për qytetarët e komunës së Tuzit. „Po ashtu, llogaris në vazhdimin e marrëdhënieve partnere të përfaqësuesve të diasporës, të cilët në vazhdimësi dhe fuqimisht janë duke avokuar për prosperitetin e këtij rajoni dhe banorëve të tij”, përfundoi Gjuroviq.

SHARE