KOSOVË, MBAHET MARSH PROTESTUES PËR MBROJTJEN E GRAVE DHE VAJZAVE NGA DHUNA

Në kryeqytetin e Kosovës është mbajtur një marsh protestues në shenjë revolte kundër dhunës seksuale, me shkas rastin e fundit të përdhunimit të një 11-vjeçareje. Mijëra qytetarë kanë protestuar filluan marshin nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, me thirrjen për mbrojtjen e jetëve dhe sigurinë e grave dhe vajzave nga dhuna. Protestuesit fillimisht ndaluan para Ministrisë së Drejtësisë në Prishtinë, më pas para Këshillit Gjyqësor, Prokurorisë dhe pas saj përballë Kuvendit dhe përballë Qeverisë. Gjatë marshit protestues është përdorur tym dhe ngjyrë e kuqe, me të cilën janë ngjyrosur simbolet dhe dyert e disa prej institucioneve përballë të cilave u protestua. “Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, “Përdhunuesit në burg”, “Boll ma”, “Dhuna nuk ka arsye”, “Çika e gra jemi bashkë krahë për krahë”, “Nuk ka dështuar nëna, ka dështuar shteti”, kanë qenë disa prej mesazheve që protestuesit kanë mbajtur në duar gjatë marshit protestues. Protestuesja Trina Binaku, duke iu adresuar të pranishmëve në marshin protestues, tha se shteti ka dështuar që t’i ndëshkojë dhunuesit, duke mos u siguruar vajzave jetë të qetë. Ajo tha se përdhunimi i vajzës 11-vjeçare është vazhdim i një sistemi patriarkal që po prodhon vazhdimisht dhunues. “Rezistenca jonë vetëm do të masivizohet dhe radikalizohet. Ne do të rezistojmë me çdo mjet në dispozicion derisa çdo vajzë dhe grua të jetë e lirë dhe e sigurt”, tha Binaku, duke kërkuar nga Qeveria krijimin e mekanizmave efektivë që të trajtohen me dinjitet të mbijetuarit e dhunës, trajtimin e drejtë të grave dhe dënime meritore për abuzuesit. Të shtunën pasdite Policia dhe Prokuroria e Kosovës njoftoi se 5 të dyshuar të cilët tashmë ndodhen në paraburgim, dy prej të cilëve të mitur, dhunuan një vajzë 11-vjeçare për rreth 7 orë në dy lokacione të ndryshme në kryeqytet. Për rastin e dhunimit të 11-vjeçares një ditë më herët dha dorëheqje drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, me arsyetimin se këtë po e bën për shkak të ndërgjegjes profesionale. Për këtë rast ka reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila tha se “kryesit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë”. Edhe kryeministri Albin Kurti kërkoi nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë, ndërsa kryerësit të marrin dënimin meritor “për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme”.

SHARE