SERBIA, VEPRIM TË PAPRITUR NJË DITË PARA RECIPROCITETIT TË DOKUMENTEVE

Një ditë para se Kosova dhe Serbia të nisin reciprocitetin për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve te hyrje-daljes për qytetarët e tyre që kalojnë kufirin mes dy shteteve, në pikat e kalimit kufitar në Serbi është vendosur një njoftim. Në Jarinjë, në anën serbe, theksohet se mundësia e kalimit të kufirit me dokumente identifikimi të lëshuara nga Kosova bëhet “për arsye krejtësisht praktike” me qëllim lehtësimin e lëvizjes, bazuar në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që palët arritën në dialogun e Brukselit më 2011. “Kjo nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës; nuk paragjykon përcaktimin e statusit final të Kosovës; nuk mund të interpretohet si heqje dorë nga Beogradi për të drejtat e dhëna nën Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, nënvizohet në njoftim. Prishtina dhe Beogradi arritën në 27 gusht marrëveshje për heqjen e lëshimit të dokumenteve për hyrje-dalje. Serbia prej 11 vjetësh ka lëshuar dokumente të tilla për shtetasit e Kosovës me të hyrë në territorin e Serbisë. Këtë pjesë të Marrëveshjes së lirisë së lëvizjes së vitit 2011, Kosova e aplikoi vetëm për disa orë në 1 gusht, dhe tensionet u rritën menjëherë e në veri u vendosën barrikada nga serbët lokalë. Marrëveshja e arritur vetëm pak ditë pasi i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, vizituan të dy vendet, zgjidhi cështjen e dokumenteve por jo edhe atë të targave, dhe në 1 shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

SHARE