ROTH NË SHKUP: NDRYSHIMET KUSHTETUESE SHPEJTOJNË RRUGËN DREJT BE-së

Deputeti gjerman, Michael Roth, i ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut që të miratojë ndryshimet kushtetuese, për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Roth, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Bundestagun gjerman, i ka bërë këto deklarata pas një vizite që ka realizuar më 31 gusht në Shkup. Ndryshimet e Kushtetutës, me të cilat pakica bullgare në Maqedoninë e Veriut do të njihej si popull shtetformues, janë pjesë e dokumentit të njohur si “propozimi francez”. Ky propozim i ka hapur rrugë fillimit formal të negociatave të anëtarësimit midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, në muajin korrik. Megjithatë, ai është kundërshtuar nga opozita maqedonase, e cila ka thënë se minon shtetin maqedonas, dhe ka shkaktuar protesta e tensione. Nga Qeveria në Shkup nuk japin ndonjë datë të saktë se kur mund të nisë procesi për ndryshimin e Kushtetutës, por kujtojnë se procesi i skriningut duhet të përfundojë deri në nëntor të vitit të ardhshëm. Roth, ka thënë se ndryshimet kushtetuese nuk janë të lehta, por duhet të ndodhin me angazhimin e të gjitha subjekteve politike. Ai ka siguruar qytetarët maqedonas se ndryshimi i kushtetutës dhe miratimi i propozimit francez nuk rrezikon identitetin e tyre kombëtar. Sipas tij, edhe “BE-ja ka obligim të jetë më e pranishme në Maqedoninë e Veriut, të jetë më e dukshme, të angazhohet më shumë, të ofrojë perspektivë për të rinjtë, veçanërisht në këto kohë të vështira kur mund të ndjejë zhgënjim dhe frustrim me BE-në”. Ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat e votave, apo me votat për të 80 prej 120 deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

SHARE