BE PEZULLON MARRËVESHJEN PËR VIZA ME RUSINË

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se ministrat e Jashtëm të bllokut evropian janë pajtuar për të pezulluar marrëveshjen për viza me Rusinë. Për pasojë, rusët tani do ta kenë më të vështirë sigurimin e një vize dhe procesi do t’iu kushtojë më shtrenjtë. “Jemi pajtuar për pezullim të plotë të marrëveshjes lehtësuese për viza mes BE-së dhe Rusisë”, ka thënë ai në një konferencë për media në fund të takimit dyditor me ministrat e Jashtëm të BE-së në Pragë. “Ky vendim do të ndikojë në zvogëlim të numrit të vizave të reja që lëshohen nga vendet anëtare të BE-së. Procesi do të jetë më i vështirë, do të jetë më i gjatë”. Diplomatët kanë thënë se ministrat e BE-së nuk kanë arritur të pajtohen për një ndalesë totale për vizat turistike për rusët, meqë vendet anëtare janë të ndara në këtë çështje. Borrell ka thënë se ka rritje të konsiderueshme të numrit të kalimeve kufitare nga Rusia drejt vendeve fqinje prej mesit të muajit korrik. “Kjo gjë ka rritur rrezikun e sigurisë për këto shtete fqinje”, ka shtuar ai. “Përveç kësaj, ne kemi parë shumë rusë që kanë udhëtuar për qejf dhe kanë kryer blerje thuajse nuk është duke ndodhur luftë në Ukrainë”.

SHARE