MURATI: PRAKTIKAT DHE KONVENTAT NDËRKOMBËTARE NUK E OBLIKOJNË PUNËDHËNËSIN TË PAGUAJ GREVISTËT

Punëtorët e sektorit publik që janë në grevë, nuk do marrin pagën e plotë nga Qeveria e Kosovës, ka thënë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. “Për 5 ditë pune i bie rreth 90 euro minus këtë muaj [në pagë]”, tha Murati më 29 gusht, gjatë një konference për media. Nga e enjtja e 25 gushtit, në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës. Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat. Murati tha se praktikat dhe konventat ndërkombëtare nuk e oblikojnë punëdhënësin të paguaj grevistët për atë kohë sa ata janë në grevë. “Kur punëtorët hyjnë në grëvë, grevistët mbulohen [kompensohen] nga sindikata”, tha ai. “Në pesë vitet e fundit, nga Thesari i Kosovës, rreth 3.2 milionë euro është shuma e mjeteve që u janë ndalë nga paga punëtorëve të arsimit [në emër të anëtarësisë] me urdhër të Sindikatës se Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) dhe janë bartur në llogari të kësaj sindikate”, tha Murati. Greva është organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

SHARE