SULMI RUS ME RAKETA NË DITËN E PAVARËSISË

Këto janë pasojat e atij që konsiderohet sulmi me bilancin më të rëndë të viktimave, i kryer deri më tani nga rusët në Ukrainë. Arrin në 22 bilanci i të vdekurve dhe 50 i të plagosurve nga raketat ruse ranë në një zonë të banuar pranë stacionit të trenit në qytezën Çapline. Banorët rrëfejnë se në goditjen e parë humbi jetën një 11-vjeçar. Një tjetër raketë goditi vagonët e një treni në stacion duke vrarë 21 persona. Pesë tyre u shkrumbuan në një automjet të parkuar pranë stacionit, që u përfshi nga flakët. Sulmi ndodhi në ditën kur Ukraina festonte 31-vjetorin e Pavarësisë nga ish-Bashkimi Sovjetik, në të njëjtën ditë kur sulmi rus në Ukrainë mbushi muajin e 6-të. Presidenti Zelenski, që kishte paralajmëruar intensifikimin e sulmeve ruse, informoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ngjarjen, teksa mbante fjalën përpara anëtarëve në një video-konferencë. Shtetet e Bashkuara miratuan 3 miliardë Dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën. Kryeministri britanik Boris Xhonson njoftoi në një vizitë të papritur në Kiev një ndihmë të re 63.5 milionë dollarë. Mbështetje për Ukrainën në ditën e pavarësisë edhe nga Gjermania, Polonia, Turqia e vende të tjera.

SHARE