NË 31-VJETORIN E PAVARËSISË, ZELENSKY ZOTOHET SE UKRAINA DO TA LUFTOJË RUSINË “DERI NË FUND”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është zotuar se shteti i tij do t’i luftojë trupat ushtarake ruse “deri në fund”. Ukraina shënon të mërkurën 31-vjetorin e pavarësisë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Po këtë ditë bëhen gjashtë muaj prej kur Rusia ka nisur sulmin e paprovokuar ndaj Ukrainës. “Përgjatë këtyre gjashtë muajve, ne kemi ndryshuar historinë, kemi ndryshuar botën dhe kemi ndryshuar veten… ne kemi nisur të respektojmë veten. Ne e kuptojmë se pavarësisht ndihmës dhe mbështetjes, askush përveç neve nuk do të luftojë për pavarësinë tonë. Ne jemi të bashkuar”, ka thënë Zelensky në adresimin e tij më 24 gusht. “Nuk ka rëndësi se çfarë ushtrie kemi, e rëndësishme është toka jonë. Ne do të luftojmë për të deri në fund”, ka thënë ai. Ukrainasit, dhe pjesa tjetër e botës, janë të përgatitur për një luftë të gjatë. Burimet perëndimore ushtarake, kanë thënë se forcat ruse janë duke bërë pak përparim në territoret lindore dhe jugore të Ukrainës. Prej shpërthimit të luftës, shtatë milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, derisa kombet perëndimore kanë vendosur sanksione financiare dhe teknologjike ndaj Rusisë për agresionin. Zelensky, 44-vjeçar, e ka pranuar ndikimin e rëndë të luftës në Ukrainë. “Çdo ditë është një arsye e re për t’u mos dorëzuar. Sepse, meqë kemi bërë kaq shumë, ne kemi çdo të drejtë të shkojmë deri në fund. Çka është fundi i luftës për ne? Ne kemi thënë dikur: paqja. Tani themi: fitorja”, ka thënë ai, duke shtuar se lufta nuk do të përfundojë derisa e gjitha Ukraina, përfshirë rajonet separatiste në lindje dhe Krimeja e aneksuar nga Moska më 2014, të jenë nën kontrollin e Kievit. “Ne do të çojmë duart lart vetëm një herë – kur të festojmë fitoren. E gjithë Ukrainës. Sepse ne nuk tregtojmë tokën dhe popullin tonë”, ka thënë ai. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë banorëve që të jenë vigjilentë teksa festojnë, pasi përvjetori i pavarësisë përkon me gjashtëmujorin e nisjes së luftës. Në ditën e shënimit të përvjetorit të 31-të të pavarësisë, Zelensky ka thënë se planifikon të ndajë çmime për ukrainasit që kanë kontribuuar në forcimin e shtetit.

SHARE