Stuhitë e fuqishme kanë goditur Evropën qëndrore dhe jugore, duke vrarë të paktën 12 persona, përfshirë tre fëmijë. Vdekjet, shumica nga rënia e pemëve, u raportuan në Itali dhe Austri dhe në ishullin francez të Korsikës. Moti i keq e ka ndarë shtetin fqinj në dy pjesë. Gjysma e vendit është e përfshirë nga temperatura të ulëta me stuhi dhe breshër dhe pjesa tjetër nga temperatura të larta, me temperatura deri në 40 gradë Celsius të regjistruara në Siçili. Në Toskana dhe Veneto është shpallur gjendja e jashtëzakonshme ndërsa mësohet se një burrë dhe një grua kanë humbur jetën. Gjithashtu në këtë rajon ka dhjetëra të lënduar dhe dëme të konsiderueshme materiale. Situata paraqitet emergjente edhe në Liguria ku mediat italiane shkruajnë se janë dëmtuar edhe objektet kulturore. Në Korsikë, erërat që frynë deri në 224 km/h shkulën pemët dhe dëmtuan shtëpitë. Në ishullin francez ka pesë viktima dhe dhjetra të plagosur. Pushuesit ishin dëshmitarë të shkatërrimit të tendave të tyre të ngritura në Korsikë. Dëshmitarët okularë bëjnë me dije se stuhitë ishin krejtësisht të papritura dhe nuk u dha asnjë paralajmërim. “Nuk kemi parë kurrë stuhi kaq të mëdha si kjo, ishte e ngjashme ne një stuhi tropikale”, tha pronari i restorantit Cedric Boell për agjencinë e lajmeve Reuters. Ngjarjet ekstreme të motit, duke përfshirë valët e të nxehtit dhe stuhitë, janë bërë më intensive dhe më të shpeshta vitet e fundit për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.