OKB-ja NË ALARM NGA LUFTIMET NË ZAPORIZHIA

Luftimet pranë centralit bërthamor të Zaporizhias në Ukrainë nuk ndalen dhe kanë alarmuar edhe Kombet e Bashkuara. Të tjera predha goditën gjatë 24 orëve të fundit objektet pranë impiantit më të madh të Europës, duke rrezikuar edhe shpërthimin e tij që mund të sjellë pasoja shumë herë më të rënda për kontinentin se shpërthimi i Çernobilit në 1986-ën. Predhat goditën ndërtesën e zyrave dhe qendrën e zjarrfikësve. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski akuzoi ushtrinë ruse për sulmin, por Moska e mohon dhe ua hedh përgjegjësinë ukrainasve. Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, Rafael Grossi përmes një videokonference përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së bëri thirrje për demilitarizimin e gjithë zonës përreth centralit, si e vetmja mënyrë për të shmangur rrezikun e shpërthimit të tij, nga luftimet mes ukrainasve dhe rusëve.

SHARE