ANIJA E PARË ME GRURË NGA UKRAINA MBËRRIN NË SHQIPËRI

Anija e parë e ngarkuar me mbi 6 mijë tonë grurë nga Ukraina, ka mbërritur në Portin e Durrësit në mëngjesin e 10 gushtit. Anija turke “Jaohar Ranim” ka udhëtuar për 12 ditë nga një port ukrainas drejt Shqipërisë. Gruri i ardhur është i destinuar për një kompani në Tiranë. Ukraina dhe Rusia kanë arritur marrëveshje për eksportet e grurit, nën ndërmjetësimin e Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara më 22 korrik. Sipas kësaj marrëveshjeje, anijeve të Ukrainës që eksportojnë grurë, misër dhe vaj, u sigurohet një korridor i sigurt, me Rusinë që është pajtuar të mos i shënjestrojë ato. Para fillimit të luftës dhe sanksioneve që u vendosën ndaj Rusisë, sipas të dhënave të Instituti të Statistikave (INSTAT), Shqipëria ka importuar mbi 40 për qind të totalit të drithërave nga Rusia, ndërsa 4 për qind nga Ukraina. Shqipëria dhe të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor po përballen me një krizë çmimesh pas lëkundjeve në treg për shkak të vështirësive me furnizim me naftë dhe gaz si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë dhe sanksioneve të vëna nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s ndaj Rusisë. Ndonëse shteti nuk ka varësi të drejtpërdrejtë nga gazi dhe nafta ruse, Shqipëria aktualisht nuk i përmbushë nevojat e saj energjetike, duke u detyruar që një sasi të konsiderueshme të energjisë ta importojë me çmime të larta nga bursat ndërkombëtare. Kjo gjendje e ka rënduar koston e jetesës në Shqipëri, një ndër shtetet me bruto prodhimin më të vogël në Evropë.

SHARE