BAJRAKTARI: ZHVILLIMI I PLAZHËS SË MADHE DHE RESORTIT ËSHTË I PAIMAGJINUESHËM PA NJË AEROPORT TË PËRSHTATSHËM

Ndërtimi i aeroportit në komunën e Ulqinit është i një rëndësie të madhe, veçanërisht kur bëhet fjalë për sjelljen e mysafirëve nga Evropa Perëndimore dhe destinacionet tjera ajrore të tregjeve kryesore. Zhvillimi i Plazhës së Madhe dhe resortet e planifikuara janë të paimagjinueshme pa një aeroport të përshtatshëm, tha kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, gjatë takimit me kryetarin e Bordit të Drejtorëve të Aeroporteve të Malit të Zi, Eldin Dobarxhiq. Siç njofton Komuna e Ulqinit, bashkëbiseduesit sot kanë nënshkruar Memorandum për Bashkëpunim. “Memorandumi parasheh bashkëpunim për krijimin e parakushteve për realizimin e investimeve në infrastrukturë dhe valorizimin e potencialit turistik, me qëllim që të mundësohet qarkullim më i madh i njerëzve, mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe teknologjisë, si dhe prosperiteti ekonomik i Ulqinit dhe shtetit të Malit të Zi”, njoftoi administrata lokale. Memorandumi përcakton disa fusha në të cilat planifikohen aktivitete të përbashkëta. Aeroportet e Malit të Zi janë, siç u tha, të gatshme për të ofruar të gjithë asistencën dhe ekspertizën e nevojshme teknike për Komunën e Ulqinit në mënyrë që së bashku të arrihen projekte sa më cilësore në fushën e turizmit dhe trafikut ajror. “Në bazë të memorandumit të nënshkruar, aeroportet e Malit të Zi do të veprojnë së bashku me Komunën ndaj palëve të treta të interesuara dhe investitorëve potencialë”, tha Dobarxhiq.

SHARE