Në Mal të Zi, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike të shkaktuar nga koronavirusi, do të jetë e detyrueshme mbajtja e maskave mbrojtëse në 15 ditët e ardhshme, ndërsa autoritetet shëndetësore u kanë bërë thirrje edhe një herë qytetarëve që të vaksinohen kundër infeksionit Covid-19. Nëse do të nevojitet një dozë e pestë do të tregojë rrjedha e epidemisë, thonë Instituti i Shëndetit Publik dhe theksojnë se vaksinimi do të ekzistojë sepse është një shtyllë e mjekësisë që shpëton jetë. Drejtori i ISHP-së, Igor Galiq, tha se për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve dhe të shtruarve në spital, kanë hyrë në fuqi masa, siç është mbajtja e detyrueshme e maskave mbrojtëse në të gjitha institucionet e administratës publike, si dhe në dyqane ushqimore, barnatore, pika karburanti, në ambientet e mbyllura të aeroportit, stacioneve hekurudhore dhe autobusëve. Nëse këto masa nuk sjellin përmirësim të situatës në periudhën e ardhshme, do të pasojnë masat e mbajtjes së maskave të detyrueshme në të gjitha ambientet e mbyllura. Ai kujtoi se gjithsej 13 persona kanë vdekur që nga 12 korriku, nga të cilët pesë ishin të vaksinuar, por me status të gabuar të imunizimit. Galliq njoftoi se strategjia e testimit dhe reagimit ndaj pandemisë do të ndryshojë në periudhën e ardhshme, sepse tani disa vende të rajonit, si Serbia dhe Kroacia, nuk i izolojnë pacientët pozitivë pa simptoma, por përdorin maska për të parandaluar përhapjen e infeksionit. Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Elvis Omeragiq, tha se simptomat, së paku tani për tani, janë dukshëm më të lehta, ndërsa fotografia klinike e pacientëve është më e lehtë dhe mund të vihet nën kontroll.