Nga e hëna, shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, do të pajisen me një “dokument hyrje/dalje”. Përmes një deklarate në gjuhën shqipe dhe serbe, Qeveria e Kosovës deklaron se qytetarët serbë, nga 1 gushti, sapo të hyjnë në Kosovë, do të pajisen me një dokument “hyrje/dalje”. “Bazuar në vendimin e Qeverisë nga mbledhja e 85 e saj, ju rikujtojmë se nga data 1 gusht 2022, çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës me dokument identifikimi personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë do të pajiset me Dokument Hyrje/Dalje”, thuhet në deklaratë. Me këtë vendim, Kosova brenda territorit të saj i bën të pavlefshme dokumentet e lëshuara nga autoritetet serbe, si masë reciprocitetit ndaj shtetit që nuk i njeh dokumentet identifikuese të lëshuara nga Kosova.