Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, filloi vizitën dy-ditore në Itali, duke u takuar me homologun e tij italian Sergio Matarella.
Siç kumtohet Gjukanoviq, do të jetë mysafir i Senatit Italian. Ai gjithashtu do të bisedoi me menaxhmentin e kompanisë Terna, e cila po realizon projektin e kabllove të energjisë nënujore. Gjukanoviq do të ketë takim edhe me Presidenten e Senatit italian Maria Elizabeth Alberti Kazelati.
“Vizita e parë zyrtare bilaterale e Gjukanoviq që nga marrja e detyrës si President i Malit të Zi, është tregues i respektit të ndërsjellë, afërsisë së dy vendeve fqinje dhe miqësisë reciproke, si dhe marrëdhënieve të partneritetit brenda NATO-s dhe procesit të negociatave me BE”, kumtohet nga kabineti i Gjukanoviq.
Siç kanë theksuar, Italia është partner i rëndësishëm ekonomik për Malin e Zi, kështu që kjo vizitë është gjithashtu një mundësi për të biseduar me menaxhmentin e kompanisë shtetërore italiane TERNA, e cila po realizon ndërtimin e një kablli nëndetësor të energjisë midis Malit të Zi dhe Italisë.