Miliona turistë e vizitojnë Venecian çdo vit. Por përveç përfitimeve që turizmi i sjell qytetit të famshëm lagunë në Itali, ai kontribuon edhe në prodhimin e 28 deri në 40% të plehrave atje, në varësi të sezonit. Për këtë arsye, autoritetet lokale i janë kthyer masave ekstreme, duke e vënë theksin sidomos tek rëndësia e uljes së përdorimit të shisheve plastike. Ata kanë inkurajuar përdorimin e shisheve të qelqit, ndërsa promovojnë po kështu edhe rrjetin e shatërvanëve me ujë të pijshëm që gjenden në sheshet dhe rrugicat e qytetit. “Këtu në këtë hartë, kemi shënuar të gjithë shatërvanët e Venecias me një pikë të vogël blu. Ato i japin turistëve një ide vizuale dhe është shumë e thjeshtë të gjenden. Në këtë mënyrë, nuk kanë vështirësi orientimi”, tha Gioele Romanelli, pronar hoteli. “Në Venecia ka 190 shatërvanë, po flas për qendrën historike të qytetit plus ishujt përreth nga Pellestrina e Lido, Murano e Torcello. Në qendër ka 126 të tilla, të përhapur në të gjithë territorin dhe gjenden në pothuajse çdo 100 metra”, tha Alberto Chinellato,arkitekt në Këshillin Bashkiak të Venecias. Në Venecia, uji është i mirë dhe falas, theksojnë zyrtarët lokalë, e mbi të gjitha i kontrolluar kujtojnë ata pasi filtrohet me një sistem tejet të sofistikuar e të sigurtë.