HAPET PJESA E PARË E AUTOSTRADËS TIVAR – BOLARE

Me rastin e 13 korrikut – Ditës së shtetësisë së Malit të Zi, Qeveria e Malit të Zi organizoi hapjen ceremoniale të pjesës së parë të autostradës Tivar – Bolare (Smokovac – Mateshevë). Në këtë ceremoni folën kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, zëvendëskryeministri dhe ministri i investimeve kapitale z. Ervin Ibrahimoviq, e ngarkuara me punë e Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës Hua Yafang dhe Drejtori Ekzekutiv i Monteput Milan Lilaniq. Kryeministri Abazoviq tha se “shtatë vjet që nga fillimi i ndërtimit, Mali i Zi nuk po hap vetëm një rrugë, por edhe një perspektivë për të ardhmen e tij”. “Autostrada është fillimi i lidhjes së përhershme të Malit të Zi me botën. Kodrat e karstit malazez do të bashkohen me fushën pjellore, kryeqyteti me veriun, Mali i Zi me Evropën”, tha Abazoviq. Abazoviq tha se autostrada duhet të emërohet “sipas shoferes së parë femër” në Ballkan, Princeshës Ksenia. Ministri i Investimeve Kapitale, Ervin Ibrahimoviq, theksoi se autostrada ka rëndësi të madhe ekonomike dhe strategjike për Malin e Zi. “Kjo autostradë duhet të sigurojë një lidhje të sigurt mes veriut të Malit të Zi dhe rajonit qendror dhe jugor, për qytetarët dhe turistët tanë, sepse kanioni i Moraçës ka marrë shumë jetë njerëzish. Nëse më pyesni mua, nëse këtë herë shpëton një jetë, dhe jam i sigurt se do të shpëtojë edhe shumë të tjera, ky projekt e ka justifikuar ekzistencën e tij”, theksoi Ibrahimoviq. Drejtori ekzekutiv i Monteput Milan Lilaniq u bëri thirrje qytetarëve që ta përdorin autostradën në përputhje me rregullat e komunikacionit. E ngarkuara me punë e Ambasadës Kineze Hua Yafang falënderoi qeverinë aktuale dhe të gjitha qeveritë e mëparshme të Malit të Zi për mbështetjen dhe angazhimin e tyre në këtë projekt.

SHARE