KIM: SHQIPËRIA TË MUNDËSOJË VOTËN E DIASPORËS SA MË SHPEJT

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka kërkuar që Shqipëria të mundësojë votën e diasporës sa më shpejt të jetë e mundur. Deklaratën Kim e bëri pas një takimi që zhvilloi këtë të martë me ambasadorin e OSBE, Vincenzo Del Monaco. Me një postim në Twitter, Kim shkruan se SHBA dhe OSBE janë të angazhuar për të mbështetur zgjedhje të lira, reformën në drejtësi dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Po ashtu ambasadorja e SHBA thekson se ata do të vijojnë të mbështesin Shqipërinë për forcimin e institucioneve gjyqësore, duke përfshirë zhvillimin e programit të ri të masterit në kriminologji. “U takova me ambasadorin e OSBE-së, Del Monaco, për të diskutuar angazhimin tonë të përbashkët për të mbështetur zgjedhjet e lira dhe të ndershme, reformën në drejtësi dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ne inkurajojmë Shqipërinë që të mundësojë votën e diasporës sa më shpejt që të jetë e mundur, siç e kërkon Kushtetuta. SHBA është e kënaqur të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për të forcuar institucionet dhe proceset gjyqësore, duke përfshirë zhvillimin e programit të ri të masterit në kriminologji”, shkruan ambasadorja Kim.

SHARE