Zhvillimi i qëndrueshëm është një preokupim i përbashkët i Malit të Zi dhe San Marinos, si dhe përkushtimi për ruajtjen e potencialit natyror dhe trashëgimisë kulturore dhe historike, tha presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq. Ai këtë e theksoi në Cetinë, pas një takimi me regjentët e San Marinos, Oscar Mina dhe Paolo Rondelli. Gjukanoviq përkujtoi se është një vizitë kthyese dhe se frekuenca e takimeve dhe bisedimeve konfirmon dëshirën dhe interesin e ndërsjellë për të ruajtur dhe përmirësuar vazhdimësinë e dialogut politik në nivel të lartë. Siç tha ai, historia nuk është e vetmja gjë që lidh Malin e Zi dhe San Marinon, por edhe aspiratat për të qenë pjesë përbërëse e kulturës bashkëkohore evropiane dhe sistemit të vlerave. Ai tha se aktivitetet e përbashkëta dhe prioritare janë para së gjithash turizmi dhe shërbimet. “Mali i Zi ka vërtet shumë për të mësuar nga zhvillimi i turizmit të San Marinos. Besoj se do të punojmë më shumë në atë plan, trajnimin e personelit në fushën e turizmit dhe promovimin e përbashkët të potencialeve turistike”, ka shtuar Gjukanoviq. Gjukanoviq theksoi se fusha e shkencës dhe e arsimit është po aq e rëndësishme. Mina theksoi se Mali i Zi dhe San Marino po ecin drejt integrimit më të fortë me BE-në, përmes përshtatjes së fortë dhe të artikuluar me standardet e nevojshme. Ai shtoi se ndjekin me shqetësim të madh dhe të thellë agresionin ushtarak në derën e një Evrope demokratike dhe solidare, se dënojnë përdorimin e forcës dhe bëjnë thirrje për respektimin e detyrueshëm të së drejtës ndërkombëtare dhe humanitare. Po ashtu, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, u takua me kapetanët Oskar Mina dhe Paolo Rondelli, të cilët ndodhen për një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku theksoi se Mali i Zi dhe San Marino, si dy vende të vogla miqësore, kanë shumë ngjashmëri dhe marrëdhënie të mira dypalëshe të bazuara në mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë.