ABAZOVIQ: ÇËSHTJET E VËSHTIRA I ZGJIDHIM MENJËHERË, PA U FRENUAR APO KUSHTËZUAR

Për të qenë në gjendje të fokusohemi në axhendën tonë evropiane dhe në procesin e reformave, duhet t’i zgjidhim menjëherë çështjet e vështira, pa u frenuar apo kushtëzuar”, tha kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq në një mëngjes pune me shefen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Kristina Popa dhe ambasadoren e Çekisë në Mal të Zi, Janin Hrebiçkova dhe ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Mal të Zi. Temat ishin procesi i reformave, sfidat në rrugën drejt integrimit të mëtejshëm, kushtet e brendshme politike në vend, bashkëpunimi rajonal, sfidat gjeopolitike të shkaktuara nga agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës, projektet infrastrukturore dhe zhvillimi ekonomik i vendit, me theks të veçantë në rajonin verior të Malit të Zi. Popa theksoi se ky takim pune përkon me mbledhjen e Këshillit të Stabilizim-Asociimit, i cili do të mbahet në Podgoricë këtë muaj dhe për herë të parë jashtë BE-së. Hrebiçkova theksoi se “sinjale të tilla pozitive nga Brukseli dhe nga të gjitha vendet anëtare të BE-së nuk janë parë në 22 vitet e fundit.“ “Prandaj Mali i Zi mund të jetë një fitues kolateral i situatës aktuale”, përfundoi ambasadorja e Republikës Çeke në Mal të Zi. Në takimin e kryeministrit Abazoviq me ambasadorët e vendeve të BE-së në Mal të Zi janë prezantuar rezultatet e anketës së opinionit publik, të cilat tregojnë se Qeveria e Malit të Zi ka mbështetjen e mbi 60% të qytetarëve.

SHARE