Një valë të nxehti mbytës ka bërë që në mbarë Europën të regjistrohen temperature rekord për qershorin. Fronti përvëlues ka bërë të kapërcehet kufiri mesatar i temperaturave karakteristike për këtë muaj, e kjo vlen edhe për veriun e kontinentit të vjetër. Dy ditë më parë, termometri në Norvegji shënoi 32.5 gradë Celsius, që është një rekord në Rrethin Arktik. Në qershor, thotë BBC, Polonia shënoi temperatura mbi 35 gradë Celsius, e më shumë se 37 gradë u regjistruan në Gjermaninë Lindore. Rekord temperaturash u shënuan edhe në Ballkan; Sllovenia e Kroacia përjetuan qershorin më të nxehtë, ndërsa Bosnja – Hercegovina iu afrua rekordit të këtij muaji atje prej 41 gradësh Celsius. Përvëlimi ka pushtuar dhe veriun e Afrikës; ferri i vërtetë u shënua në Tunizi, ku meteorologët matën 48.7 gradë. Disa zona në jug të Austrisë u përballën ndërkohë me stuhi që shkaktuan rrëshqitje toke, duke vrarë një person e duke shkaktuar përmbytje e bllokim rrugësh në rajonin e Carinthias, ndërsa një përkeqësim i kushteve atmosferike pritet më vonë gjatë javës.