DINOSHA LARGOHET NGA UDSH: NUK JAM MË KRYETAR NDERI DHE AS ANËTAR I PARTISË

Ish kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe njëherësh ish ambasador i Malit të Zi në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës, Ferhat Dinosha ka njoftuar se është larguar nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH). „Dëshiroj ta njoftoj opinionin se nuk jam më Kryetar Nderi as anëtar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve. Pauza disavjeçare, gjatë të cilës kam qenë ambasador i Malit të Zi në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës , ka bërë që të bjerë dukshëm potenca politike e partisë dhe të ftohen marrëdhëniet me kryetarin aktual të saj , z. Mehmet Zenka . Veç kësaj, partia ka përjetuar përçarje në Degën e Malësisë , duke përgjysmuar votat dhe duke krijuar dy grupime politike,“ theksoi Dinosha. Përveç kësaj, siç tha ai, ka pasur ndarje votash në Degën e Malësisë, e me këtë u bë edhe krijimin e dy grupimeve politike. „Me t’u kthyer në vendlindje, para një muaji, jam interesuar shumë per t’i ribashkuar dy grupimet, përkatësisht për ta rikthyer në Degë grupin e përjashtuar nga partia , të profilizuar tashmë , si Unioni i Tuzit. Ky grup ka pranuar të rikthehet në Degë dhe të bëhet sërish pjesë e Kryesisë së saj , me kusht që unë, si koordinator, të marr përsipër udhëheqjen e Degës , kurse nga posti i kryetarit të saj , të tërhiqet z. Enis Gjokaj , deri në riorganizimin e strukturës së re të Degës, përmes ndonjë vendimi të organeve partiake ose kuvendit të ri zgjedhor lokal. Këtë ia kam përcjellë kryetarit të Degës dhe disa bashkëpunëtorëve të tij , duke u thënë që ta informojnë edhe kryetarin e partisë dhe të më kthejnë gjegje. I kam thënë kryetarit të Degës se do t’ia vlente të sakrifikonim ne të dy , ai me tërheqjen e une me marrjen e perkohëshme të të parit të Degës , por  nuk kam marrë përgjigjen e pritur,“ tha Dinosha. E gjithë kjo e detyron atë, siç tha ai, të ndërmarrë “ndoshta hapin më të vështirë dhe më të padëshirueshëm në karrierën e tij politike”. “Unë do t’u jem përgjithmonë mirënjohës anëtarëve, simpatizantëve dhe votuesve të UDSH-së, u premtoj se nëse Zoti më dhuron shëndet dhe jetëgjatësi, në një mënyrë apo tjetër, do të vazhdoj të kontribuoj në mirëqenien e shqiptarëve dhe proceseve demokratike në Mal të Zi”, tha Dinosha.

SHARE