I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë të mërkurën se beson që ekziston momentum për takim në Bruksel ndërmjet liderëve të të dyja shteteve, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Prishtinë. “Jam angazhuar nëpër takime individuale që takimi i radhës të ketë rezultatet që dëshirojmë t’i shohim”, ka thënë Lajçak për mundësinë e takimit Kurti – Vuçiq në kuadër të dialogut, duke shpresuar që një takim i tillë të zhvillohet në korrik, para nisjes së pushimeve verore. Këta dy liderë janë takuar dy herë gjatë vitit të kaluar në kuadër të dialogut. Lajçak ka thënë se përgjatë vizitës treditore në Kosovë është takuar me krerë të pushtetit dhe opozitës për të diskutuar rreth dialogut. Sipas tij, uniteti politik është shumë i rëndësishëm për ecjen përpara të dialogut, duke vënë theksin te “deklaratat e opozitës në mbështetje të dialogut dhe angazhimeve të Qeverisë [së Kosovë] në këtë proces”. Përveç tjerash, Lajçak ka folur edhe për rëndësinë e zbardhjes së fatit të të pagjeturve dhe ka thënë se shpreson që do të miratohen dokumentet, të cilat janë duke punuar grupet punuese.