NGËRÇI MES SOFJES DHE SHKUPIT, SHBA-të: GATI TË LEHTËSOJMË GJETJEN E NJË KOMPROMISI

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme “të luajnë një rol konstruktiv në lehtësimin e një kompromisi”, mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, i cili do t’i hapte rrugë nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim mes Brukselit dhe Shkupit, e për pasojë dhe me Shqipërinë, e cila ka mbetur peng i këtij ngërçi. Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, i tha Zërit të Amerikës se “duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi për vendet e rajonit dhe për Evropën më gjerësisht, ne shpresojmë se përpjekjet diplomatike do të vazhdojnë dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë aty ku është e dobishme”. Zëdhënësi thekoi gjithashtu se “ne përshëndesim Francën për përpjekjet e saj për të sjellë një zgjidhje të suksesshme për të filluar sa më shpejt negociatat zyrtare”. Sofja dhe Shkupi po vijojnë bisedimet për protokollin dypalësh. Mësohet se Maqedonia e Veriut ka paraqitur dje një propozim të ri. Edhe sot kryeministri Kovaçevski u tha gazetarëve në Shkup se “bisedimet me Bullgarinë fqinje vazhdojnë në nivelin e ekipeve të ekspertëve të Ministrive të jashtme, të të dy vendeve. Në momentin kur të ketë një propozim të pranueshëm nga të dy palët, atëherë ai propozim mund të diskutohet në institucionet e Maqedonisë së Veriut. Në këtë pikë, nuk ka një propozim të tillë”, tha Kovaçevski. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, nënvizoi se “SHBA-të janë mbështetës të fortë të integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është pikërisht në BE. Procesi i zgjerimit promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë në të gjithë rajonin”, deklaroi zëdhënësi, duke shtuar se “ne marrim parasysh shumë deklarata të liderëve të BE-së për rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE për të forcuar sigurinë e Evropës, si dhe sigurinë tonë kolektive. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë hedhur themelet dhe tani është koha për t’i çuar ato përpara në fazën tjetër të procesit të anëtarësimit”, theksoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. 

SHARE