G7 DO TË QENDROJË PËRKRAH UKRAINËS

Udhëheqësit e G-7ës u zotuan të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën për “sa kohë që të nevojitet”. Në një deklaratë të përbashkët pas një lidhjeje videofonike me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, udhëheqësit nënvizuan, siç u shprehën ata, “angazhimin e palëkundur për të mbështetur qeverinë dhe popullin e Ukrainës në mbrojtjen e tyre kurajoze të sovranitetit të vendit dhe të integritetit territorial”. Udhëheqësit e G-7ës thanë se “i takon Ukrainës të vendosë për një zgjidhje paqësore në të ardhmen, pa trysni të jashtme dhe pa u ndikuar”. Këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, bëri të ditur se kërkesa kryesore e zotit Zelenskyy ishte për sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore dhe se biseda u përqëndrua tek perceptimi i tij për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj lufte. Zoti Zelenskyy i informoi udhëheqësit e G-7 se si qeveria e tij ka përdorur ndihmën e marrë deri më tani për “të maksimalizuar kapacitetin e Ukrainës, si për t’i rezistuar përparimit të forcave ruse, ashtu edhe për të bërë kundërsulme aty ku është e mundur”, tha zoti Sullivan. Udhëheqësi ukrainas dëshiron që vendi i tij të arrijë një avantazh në fushëbetejë gjatë muajve të ardhshëm, pasi “ai beson se një konflikt i zgjatur, nuk është në interesin e popullit ukrainas”, tha zoti Sullivan.

SHARE